Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Fjala përshëndetëse e Ambasadorit Peter Zingraf në pritjen me rastin e ditës kombëtare të bashkimit të Gjermanisë, 3.10.2019

Shumë i nderuar zoti President i Republikës së Shqipërisë,
Shumë i nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,
Shumë i nderuar zoti Kryeministër,
Shumë të nderuar zonja dhe zotërinj ministra,
Shumë të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Të dashur kolegë të trupit diplomatik,
Të dashur bashkatdhetarë gjermanë,
Shumë të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të nderuar miq,

bashkëshortja ime dhe unë jemi shumë të lumtur të mirëpresim kaq shumë miq, këtu, në sallën e aktiviteteve të Ambasadës Gjermane. Ne jemi vetëm prej pak javësh në Shqipëri por mund të themi qysh tani se mikëpritja dhe kultura e mirëseardhjes e këtij vendi të bukur na ka dhuruar një fillim shumë të mirë. Faleminderit përzemërsisht!

Ne festojmë sot Ditën e Bashkimit të Gjermanisë. Fillimi spektakolar i procesit të bashkimit për Gjermaninë dhe Evropën ishte rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, para pothuajse plot  30 vjetëve. Askush nuk kishte parashikuar një fund të shpejtë të perdes së hekurt, por në retrospektivë ne mund të dallojmë zhvillime të rëndësishme të mëparshme, elementi lidhës i të cilave është pikërisht fakti, që njerëzit për lirinë e tyre dalin në rrugë dhe marrin përsipër rreziqe. Po përmend këtu si shembull Lëvizjen Solidarność dhe Tryezën e Rrumbullakët në Poloni, protestat në DDR, sidomos ato në Leipzig në tetor 1989 si dhe ata mijëra qytetarë të DDR-së, të cilët u arratisën nga DDR-ja përmes Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë per në Varshavë dhe Pragë.

Me këtë rast do doja të hiqja një paralele me Tiranën: sikurse të gjithë e dinë, edhe këtu ra një mur, edhe pse më i vogël dhe pak më vonë në kohë. Është muri pas ndërtesës së rezidencës. Në korrik 1990 ky mur u shemb pjesërisht nga një kamion me rreth 40 persona në të. Në fund numri i  qytetarëve shqiptarë, që qëndruan në këtë hapësirë shkoi mbi 3000. Presioni i ndërkombëtarëve bëri që regjimi komunist të ndihej i detyruar t’i  linte ata të udhëtonin për në Gjermani. Rreth 1500 qytetarë shqiptarë të tjerë kërkuan strehim në ambasadat e tjera, sidomos në atë italiane dhe franceze. Historianët shqiptarë thonë, se emigrantët e ambasadave ishin pikërisht fillimi i fundit të regjimit.

Historia e dy mureve që u shembën, na kujton atë që ishte thelbi I krijimit dhe rritjes së Evropës së Bashkuar si dhe atë çka është sot në qendër të zgjerimit të Bashkimit Evropian: bëhet fjalë për lirinë, demokracinë, vetëvendosjen e qytetarëve dhe për mundësinë e tyre për të punuar për një të ardhme në paqe dhe mirëqenie për veten dhe familjet e tyre.

Pas rrëzimit të mureve u ndërtuan ura: ura e parë e madhe për ne ishte bashkimi i Gjermanisë në tetor 1990, per festimin e të cilit jemi mbledhur sot. Ju falënderoj të gjithëve që na u bashkuat në këtë festë dhe falënderoj veçanërisht Presidentin e Republikës, dhe Kryeministrin.

Gjej rastin t’ju sjell në vëmendje Tetorin Gjerman, i cili këtë vit do të zhvillohet nën moton “gur, gur bëhet URË”: Broshurat me programin e aktiviteteve i kemi ofruar sot këtu për ju dhe njëkohësisht ju ftojmë të shkarkoni aplikacionin Tetori Gjerman, për të qenë kësisoj gjithmonë të aktualizuar me informacionet e fundit!

Ne sapo folëm për mijëra qytetarë shqiptarë, të cilët u larguan nga Shqipëria në vitin 1990. Emigracioni vazhdon ende, deri ditët e sotme, dhe Gjermania është një nga destinacionet kryesore. Punonjësit shqiptarë të kualifikuar janë mëse të mirëpritur në Gjermani. Por ne e dimë, se këtu nevojiten njerëz të arsimuar për ndërtimin e mëtejshëm të vendit. Në kuadër të bashkëpunimit tonë për zhvillim – Gjermania është donatori më i madh bilateral për Shqipërinë – qëllimi ynë është të përmirësojmë kushtet e jetesës së qytetarëve këtu dhe të krijojmë mundësi për të rinjtë: Dëshiroj këtu të përmend programet e organizatave tona zbatuese GIZ-it dhe KfW-së, veçanërisht ato në zhvillimin e turizmit, formimin profesional dual, përmirësimin e strukturave në zonat rurale, furnizimin me ujë dhe energji.

Sidoqoftë mbështetja jonë mund të jetë vetëm ndihmë për vetëndihmë, ndërkohë që përmirësimi i kushteve të punës dhe jetesës duhet të vijë përfundimisht nga institucionet shqiptare. Qeveria Federale dhe Bundestag-u në Berlin i thanë PO hapit të radhës së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vazhdimi i reformave të nevojshme, sidomos në fushën e drejtësisë dhe administratës publike, dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë parakushte për këtë. Këto reforma janë dhe baza për përmirësimin e mjedisit për investitorët e huaj, të cilët mund të krijonin shumë vende pune shtesë. Investitorët gjermanë vazhdojnë të jenë të interesuar për Shqipërinë, deri tani klima për investime nuk ka arritur t’i bindë ata për investime më të mëdha.

Në shumë fusha marrëdhëniet dypalëshe janë të ngushta dhe besimplota. Këtu dëshiroj të përmend si shembull bashkëpunimin e ngushtë të dy vendeve tona në politikën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe në bashkëpunimin e policive. Bashkëpunimi i mirë i forcave të sigurisë e dëshmoi veten më së miri edhe në ndihmën që iu dha turistëve gjermanë në nevojë dhe për këtë dëshiroj të falënderoj Ministrin e Brendshëm.

Tani më lejoni të përshëndes edhe miqtë gjermanë dhe gjermanofolës në gjuhën time:

Të dashur miq gjermanë, një përshëndetje të veçantë dhe të përzemërt për të gjithë ju, që jetoni ose punoni këtu në fusha të ndryshme. Ne festojmë sot 30-vjetorin e Rënies së Murit dhe kemi mësuar se sa përpjekje dhe kohë kërkohet për të harmonizuar kushtet e jetesës në të dy pjesët e Gjermanisë. Në këtë sfond le të shpresojmë se do mund të shoqërojmë procesin e vështirë transformues shqiptar, ku të jetë nevoja me durim por edhe me këmbëngulje. Unë shpresoj të takoj dhe njoh  mundësisht sa më shumë prej jush.

Dëshiroj të përmend veçanërisht ekipin tim të ambasadës. Dhe me këtë nënkuptoj si diplomatët gjermanë, ashtu edhe koleget dhe kolegët shqiptarë (të cilët flasin gjermanisht më mirë se vetë ne): Faleminderit përzemërsisht të gjithëve ju edhe në emër të bashkëshortes sime për pritjen e përzemërt që na keni ofruar dhe bashkëpunimin e shkëlqyer!

Një përshëndetje e veçantë nga unë u drejtohet edhe të gjithë njohësve dhe nxënësve të gjuhës gjermane në Shqipëri: Unë rrallë kam përjetuar ndonjë vend, ku mësohet gjermanisht në mënyrë kaq të suksesshme, ju përgëzoj të gjithëve për këtë nivel mbresëlënës dhe mezi pres të takohem me të gjithë ata që kontribuojnë në mënyrë aktive për ndërmjetësimin e gjuhës, kulturës dhe letërsisë gjermane.

Të dashur miq, tani dëshirojmë të ngremë një dolli për Shqipërinë dhe miqësinë gjermano-shqiptare. Dhe pas kësaj urojmë për ju e të gjithë ne një mbrëmje të bukur. Presim me kënaqësi të takohemi e bisedojmë me ju.

Ju lutem, ngrini gotat me ne: Le t’i trokasim ato për mirëqenien, lumturinë dhe shëndetin e Presidentit të Republikës, mbarë Shqipërisë dhe njerëzve të këtij vendi!

Gëzuar!