Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Deklaratë shtypi: Programi i Bursës Ndërkombëtare Parlamentare të Bundestag-ut Gjerman Intervistat përzgjedhëse në Tiranë për vitin 2018

19.10.2017 -

Programi i Bursës Ndërkombëtare Parlamentare të Bundestag-ut Gjerman
Intervistat përzgjedhëse në Tiranë për vitin 2018

Një komision nga Gjemania për përzgjedhjen e bursanteve dhe bursantëve për Bursën Ndërkombëtare Parlamentare (IPS) zhvilloi një vizitë në Tiranë nga data 16 deri më 18 tetor 2017. Delegacioni gjerman, nën udhëheqjen e deputetit të Bundestag-ut Gjerman, z. Jörn Wunderlich (die Linke), zhvilloi biseda përzgjedhëse me kandidate/ë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia për programin e IPS-së 2018.
Në kuadër të programit të IPS-së do të kenë mundësinë gjithsej 120 të rinj nga 41 shtete gjatë qëndrimit të tyre me bursë në periudhën kohore 1 mars deri më 31 korrik 2018 të njohin më nga afër proceset e punës në Bundestag-un Gjerman dhe sistemin parlamentar të Gjermanisë. Qëllimi i programit është t’u mundësojë bursanteve dhe bursantëve të përjetojnë nga afër proceset politike dhe ato të vendimmarrjes demokratike. Bursantet/ët do të punojnë në mënyrë aktive në zyrën e një deputeti/eje të Bundestag-ut dhe përveç kësaj mund të marrin pjesë në aktivitete mësimore pranë universiteteve të Berlinit.
Programi është nën patronazhin e Kryetarit të Bundestag-ut Gjerman dhe ralizohet në bashkëpunim me tre universitetet e Berlinit. Të gjitha shpenzimet e udhëtimit, akomodimit dhe siguracioneve, duke përfshirë këtu dhe një bursë mujore, merren përsipër nga Bundestag-u Gjerman.
Delegaconi nën drejtimin e deputetit Wunderlich zhvilloi gjatë qëndrimit të tij në Tiranë ndër të tjera edhe biseda politike si dhe u takua me Kryetarin e Kuvendit Ruci dhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë.
Informacione më të hollësishme rreth programit dhe kritereve të aplikimit mund të gjeni në faqen e internetit: http://www.bundestag.de/ips.

Dr. Johannes Dietrich
Zëdhënes Shtypi