Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Deklarata për shtyp e Kancelares Federale Angela Merkel në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama

26.04.2018 -

Deklarata për shtyp e Kancelares Federale Angela Merkel në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama

Zonja dhe zotërinj, gëzohem që Kryeministri shqiptar është sot - dhe me kënaqësi mund të them sërish - në Gjermani, dhe kjo në një kohë të rëndësishme.

Na u desh shumë kohë për krijimin e qeverisë, por tani mund të punojmë përsëri si duhet. Më lejoni të them se kemi një marrëdhënie dypalëshe shumë të ngushtë, gjë për të cilën shpreh falënderimin tim. Kryeministri sapo vjen nga Parlamenti. Dhe tani do të të vijojmë me diskutimin tonë. Kemi patur jo vetëm përvjetorin 30-të të bashkëpunimit ekonomik gjermano-shqiptar për zhvillim në vitin 2018 - Gjermania vazhdon të jetë akoma shumë e angazhuar në këtë kontekst - por do të flasim, në radhë të parë, për të ardhmen e rajonit, ashtu sikurse edhe për Samitin e Ballkanit Perëndimor në datën 17 maj. Mendoj se të dy duhet të falënderojmë shumë presidencën bullgare, e cila kujdeset në mënyrë të paimagjinueshme duke u fokusuar në çështjet thelbësore të rajonit të saj, çka ka bërë, që të kemi një trafik të shtuar qartazi të vizitave të politikanëve europianë drejt rajonit.

Ne do të këshillohemi, se si do të veprojmë më tej në procesin e të ardhmes europiane të Shqipërisë. Ju e dini se është në bindjen tonë, që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një perspektivë europiane, në mënyrë që edhe ato një ditë të mund të jenë anëtare të Bashkimit Europian. Komisioni më 17 prill ka rekomanduar, që të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Për këtë do të konsultohemi në Këshillin Europian në fund të qershorit. Që bisedimet e anëtarësimit të mund të hapen ka një sërë parakushtesh. Shqipëria ka punuar shumë fort për plotësimin e disa prej tyre. Për hapjen e negociatave të anëtarësimit ka premisa të caktuara. Gjatë javëve të ardhshme, do të krijojmë opinionin tonë përmbyllës, nëse duhen realizuar edhe gjëra të tjera, nëse është bërë përparim i mjaftueshëm, dhe për këtë do të diskutojmë edhe me kolegët tanë europianë.

Takimi i sotëm për mua është shumë i rëndësishëm, pasi do të mësoj nga vetë Kryeministri, se si e sheh ai plotësimin e parakushteve të ndryshme dhe se si ne do të mund ta mbështesim Shqipërinë më tej në realizimin e reformave. Sepse këtë e kemi bërë gjithnjë e do të vazhdojmë ta bëjmë sërish. Unë dua të them shprehimisht, se Shqipëria ka iniciuar reforma të rëndësishme dhe se sigurisht është arritur progres. Sjell këtu në mendje verifikimin e disa qindra gjykatësve dhe prokurorëve. Për këtë kemi folur për shembull edhe gjatë vizitës së fundit. Në këtë mënyrë do të konsolidohet i tërë sistemi juridik në të gjithë dimensionin e integritetit dhe besueshmërisë së tij. Dimë se ky process verifikimi tani do të shtrihet edhe në polici. Unë vetëm mund ta inkurajoj Kryeministrin të vazhdojë më tej në këtë rrugë.

Ka edhe fusha të tjera, për të cilat do të flasim, siç është shteti i së drejtës në përgjithësi, por dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe ne jemi, besoj, gjithnjë të të njëjtit mendim: të gjitha këto nuk janë për t’i bërë nder dikujt, por kanë një rëndësi të madhe për vetë Shqipërinë dhe njerëzit e saj. Së këtejmi lindin edhe potencialet për rritje ekonomike, për besim dhe besueshmëri në raportin me investitorët, lindin mundësitë për të ardhmen e të rinjve dhe të rejave, të cilat duhet t’i mbajmë në fokus para gjithçkaje tjetër.

Ne do të flasim jo vetëm për Shqipërinë, por sigurisht edhe për rajonin, për situatën në Bosnjë- Hercegovinë, Kosovën, Serbinë dhe natyrisht edhe për pritshmëritë nga Samiti në Sofje, por dhe për takimin në korrik në Londër ku do të vijojë i ashtuquajturi Proces i Berlinit. Besoj se tashmë kemi shënuar disa arritje lidhur me bashkëpunimin në rajon, mendoj këtu për rrjetin rinor, apo për Samitin Digjital, i cili u mbajt para pak kohësh propozuar nga Kryeministri.

Pra përgjithësisht do të kemi një bisedë miqësore. Gjermania dëshiron të mbështesë e të ndihmojë, në mënyrë që të shohim vërtetë ato hapa përpara, që do të na duhen për të marrë më pas një vendim në qershor.

Edhe njëherë, përzemërsisht mirëseerdhët!