Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Deklaratë për mediat: “Tetori Gjerman 2018” - Program i larmishëm me pika kulmore të shumta

01.10.2018 -

“Tetori Gjerman 2018” - Program i larmishëm me pika kulmore të shumta

Një vjeshtë interesante, e larmishme dhe emocionuese është duke ju pritur - Tetori Gjerman 2018. Këtë vit javët tona të kulturës gjermane në Shqipëri do të zhvillohen nën moton "Frymëzuar nga njerëzit ". Është hera e 12-të radhazi, që Ambasada Gjermane në Tiranë, në bashkëpunim me partnerë të shumtë dhe me mbështetjen e fuqishme të sponsorizuesve organizon javët e kulturës gjermane në Shqipëri.

Traditë e konsoliduar në jetën kulturore gjermano-shqiptare

„Tetori Gjerman“ po zhvillohet për herë të dymbëdhjetë. „Për ne është kënaqësi që mund të vijojmë edhe këtë vit me traditën e Tetorit Gjerman me një program të larmishëm“, u shpreh Ambasadorja gjermane Susanne Schütz gjatë prezantimit të programit në dt. 01.10.2018 në Ambasadën Gjermane. „Me moton ‚Frymëzuar nga njerëzit‘ dëshirojmë edhe këtë vit të arrijmë që në aktivitetet tona shqiptarët dhe gjermanët të punojnë e përjetojnë së bashku, të shkëmbehen e mësojnë prej njëri-tjetrit“.

Përgjatë gjashtë javëve në vijim në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në kuadër të Tetorit Gjerman. Programi, që partnerët e shumtë të Tetorit Gjerman kanë hartuar, përfshin filma dhe letërsi, teatër, zbulime kulinarie, muzikë dhe vallëzim sikurse diskutime dhe punëtorí.

Më shumë rreth disa aktiviteteve

Pjesë muzikore të romantikës së vonë të kompozitorit gjerman Camillo Schumann (1872 - 1946) do të sillen në skenë nga pianistja Kristina Laço dhe violonçelistja Dorina Laro. Ato do të sjellin për dëgjuesit magjinë e tyre me sonatat për violonçel dhe piano.

Që kultura është më shumë se sa vetëm muzikë, teatër, letërsi etj këtë e tregon projekti ynë me shefat e kuzhinës Slow-Food: Luka Lübke (Bremen / Gjermani) dhe Bledar kola (Tiranë / Shqipëri). Në një punëtori të përbashkët gatimi të dy shefat e kuzhinës do të prezantojnë pjata të kuzhinës tradicionale dhe aktuale gjermane dhe shqiptare, për t’u zhvendosur më pas në kuzhinën didaktike të Shkollës Profesionale të Kamzës dhe gatuar së bashku me kuzhinierët e gjeneratës së re.

Këtë Tetor Gjerman do të kemi një premierë edhe përsa u përket shfaqjeve teatrore. Ambasada Gjermane dhe ajo franceze, në bashkëpunim me regjisorin shqiptar Stefan Çapaliku do të vënë në skenën shqiptare pjesën “Dogfall” të autorit australian Caleb Lewis. Pjesa tematizon dimensionin njerëzor të luftës dhe synon që në këtë 100-vjetor të fundit të Luftës së Parë Botërore të nxisë diskutimet rreth raportit me historinë, pajtimin dhe të ardhmen e përbashkët në Ballkanin Perëndimor.

Si mund të dallohen Fake News dhe cila është qasja ndaj tyre: kjo do të jetë tema e një punëtorie disaditore të organizuar nga qendra Goethe në Universitetin e Elbasanit. Gjatë kësaj punëtorie pjesëmarrësit do të shohin vetë në një auto-eksperiment, se sa shpejt mund të përhapen faktet e rrezikshme alternative.

Duke shkruar për ëndrrat mund të krijohen vepra letrare - këtë do të tregojë në seminaret e saj për shkrimin letrar shkrimtarja gjermane Sandra Hoffmann. Autorja e vlerësuar me çmime do të vijë në Shqipëri me ftesë së Qendrës Goethe, Ambasadës Gjermane dhe Shoqatës Letrare Poeteka. Ajo do të prezantojë gjatë dy mbrëmjeve letrare romanin e saj “Paula”, i cili në tetor 2018 do të botohet edhe në gjuhën shqipe.

Tetori Gjerman i këtij viti tematizon edhe ndarjen tradicionale dhe aktuale te roleve mes gjinive në Shqipëri. Dance-Teatri me titull “Jam Burr! Burri i vërtetë?!” vihet përballë klishesë së “burrave të vërtetë të Ballkanit”. Artistja gjermane Katharina Maschenka Horn, artistja shqiptare Ema Andresa dhe ekipi i tyre ndërkombëtar dëshirojnë të realizojnë kësisoj përballjen e publikut shqiptar me rolet e gjithhershme të gjinive. Ndërsa Fatime Kosumi ka gjetur një hyrje tjetër, të natyrës muzikore në universet tradicionale vajzërore. Këngëtarja jeton në Berlin dhe do të sjellë këngë popullore shqiptare në një interpretim të ri. Së bashku me sociologen për çështje gjinore Delina Binaj dhe publikun do të diskutohet rreth situatës së vajzave të reja në Shqipëri.

Ashtu sikundër vitet e shkuara të dashuruarit pas kinemasë do të kenë gjithashtu pjesën e tyre këtë tetor: ne do të shfaqim produksione të suksesshme gjermane apo gjermanofolëse të viteve të fundit me titra në shqip. Janë programuar “I riu Karl Marx” nga Raoul Peck dhe “Vëllezërit e zinj” nga Xavier Koller. Për fëmijët do të shfaqen filmat me tituj “Mbretëresha e Niendorf-it” dhe “Tim Taler apo e qeshura e shitur”.

Programin e plotë të aktiviteteve e gjeni në adresën www.tetori-gjerman.com, dhe faqen e Ambasadës Gjermane www.tirana.diplo.de sikurse edhe në Facebook „Ambasada Gjermane Tiranë“.

Si për çdo vit edhe këtë herë programi i tetorit Gjerman është krijuar në bashkëpunim me partnerë të shumtë gjermanë e shqiptarë dhe mundësuar me mbështetjen bujare të një numri të madh sponsorizuesish.

Enrico Günther

Drejtues i Referatit të Kulturës dhe Shtypit