Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Deklaratë shtypi: Bisedimeve Qeveritare mbi Politikat për Zhvillim 2018

22.11.2018 -

Sot Ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe Drejtori i Drejtorisë për Evropën Juglindore në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Schattenschneider, kanë përfunduar me sukses bisedimet qeveritare mbi politikat për zhvillim. Këtë vit jubilar të 30-vjetorit të Bashkëpunimit Gjermano-Shqiptar për Zhvillim bisedimet shënuan një shifër rekord të premtimeve financiare.

Qeveria Federale ka miratuar për Republikën e Shqipërisë për dy vitet në vijim një fond prej 168,4 milionë eurosh. Krahas kësaj Banka Gjermane për Rindërtim KfW lëvron për Ministrinë e Financave në Shqipëri një kredi në vlerën e 100 milionë eurove.

Prej korrikut 2016 Gjermania ka vënë në dispozicion të projekteve të përbashkëta me Shqipërinë 102,5 milionë euro, duke u shndërruar kësisoj qartësisht në donatorin më të madh bilateral.

„Shifrat rekord janë provë e rëndësisë së madhe që Qeveria Federale i kushton mbështetjes së Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Në 30 vitet e fundit ne kemi qëndruar vazhdimisht në krah të Shqipërisë dhe do të vazhdojmë të mbetemi një partner i besueshëm i saj“, deklaroi Ambasadorja Gjermane Schütz gjatë konferencës për shtyp.

Fondet e miratuara do lëvrohen për projekte të përbashkëta në sektorët e energjisë, ujësjellës-kanalizimeve, menaxhimit të mbetjeve dhe zhvillimit ekonomik. Krahas kësaj synohet të zgjerohet edhe bashkëpunimi me vendet fqinje në kuadër projektesh rajonale - si p.sh. për temën e integrimit evropian, luftës kundër krimeve të rënda, pastrimit të detit dhe mbrojtjes nga përmbytja.

Në fjalën e tij, Drejtori i Drejtorisë pranë MFBEZh tha: „Për ne është e rëndësishme që nga njëra anë të përmirësojmë në mënyrë konkrete kushtet e jetesës së njerëzve p.sh. me projekte në furnizimin me energji dhe ujë, dhe nga ana tjetër të zhvillojmë institucionet shqiptare duke i bërë të afta për në BE. Gjithashtu ne kontribuojmë që Shqipëria të përballet me sfidat së bashku me fqinjët e saj, në mënyrë që brezat e ardhshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor të trashëgojnë perspektivën për një jetesë të mirë e në paqe.“

Temë e bisedimeve, veç anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ishte edhe jetësimi i objektivave të Kombeve të Bashkuara për zhvillim. Të dyja palët ishin dakord që Shqipëria në dekadat e shkuara ka shënuar suksese të spikatura në rrugën e saj drejt të zhvillimit të një ekonomie sociale të tregut dhe të demokracisë parlamentare, por vazhdon ende të gjendet përballë sfidash të mëdha, në përballjen me të cilat Gjermania do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë edhe në të ardhmen.

„Gjermania vë në dispozicion jo vetëm fonde financiare të shumta dhe ekspertizë profesionale, por ne jemi gjithashtu edhe një konsulent kritik. Kështu ne e inkurajojmë Shqipërinë të vijojë në mënyrë konsekuente rrugën e nisur të reformave, veçanërisht atë në sektorin e drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në pritje të vendimmarrjes së BE-së pranverën e vitit të ardhshëm lidhur me çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë duhet thënë se nuk ka kohë për të humbur”, theksoi Ambasadorja Gjermane.

Sfondi:

Gjermania ishte vendi i parë, që lidhi marrëdhënien e bashkëpunimit për zhvillim me Shqipërinë, dhe kjo që në vitin 1988.

Prej atëherë Gjermania ka vënë në dispozicion fonde financiare në një vlerë të përgjithshme prej rreth 1 miliardë eurosh. Këtu shtohen edhe kontribute të rëndësishme në kuadër organizatash ndërkombëtare si BE, Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe OSBE. Gjermania është kështu donatori më i madh bilateral i Shqipërisë.

Pjesa më e madhe e projekteve zbatohen përmes GIZ-së dhe KfW-së, por edhe përmes organizatave joqeveritare dhe fondacioneve politike Konrad Adenauer, Friedrich Ebert dhe Hanns Seidel.

Bashkëpunimi për Zhvillim përqendrohet në sektorët e mëposhtëm: a) Energji (këtu: zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit të shpërndarjes dhe transmetimit; rritja e efiçencës së energjisë; konsulencë politike lidhur me Acquis të BE-së dhe komunitetin evropian të energjisë); b) ujë, ujësjellës, mbetje (këtu: ndërtimi dhe rehabilitimi i sistemeve të furnizimit me ujë, kanalizimeve dhe menaxhimit të mbetjeve; këshillimi i ministrive dhe autoriteteve sikundër edhe i administratave bashkiake dhe komunale); c) Zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë (këtu: përmirësimi i sistemit të arsimit dhe kualifikimit, në mënyrë të veçantë i arsimit profesional; mbështetje e sipërmarrjeve të reja; nxitja e zhvillimit rural dhe aksesi në kredimarrje; përshtatja e legjislacionit ekonomik me Acquis).

Disa prej historive të suksesit:

  • rreth 1,3 milionë shqiptarë përfitojnë nga përmirësimi i furnizimit me ujë dhe kanalizimeve
  • rreth 10.000 nxënës janë formuar në shkollat profesionale
  • Ndërtimi i linjës së transmetimit të energjisë elektrike në drejtim të Malit të Zi dhe Kosovës
  • Ndërtimi i Landfill-it të parë sipas standardeve të BE-së në Maliq / Korcë
  • Shenjimi i shtegut ndërrajonal “Peaks of the Balkans”

Enrico Günther
Zëdhënës shtypi