Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Fjalë përshëndetëse e Ministrit Federal të Punëve të jashtme z. Heiko Maas, me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, 3 tetor 2018

Bundesaußenminister Heiko Maas

Bundesaußenminister Heiko Maas, © Thomas Imo/photothek.net

03.10.2018 -

Gjermania është e bashkuar sërish në demokraci dhe liri prej 28 vitesh. Ndarja politike e imponuar nga Lufta e Ftohtë është kapërcyer prej pothuajse tri dekadash. Asokohe ishin para së gjithash qytatare dhe qytetarë të lindjes së Gjermanisë, që sollën rrëzimin e murit mes Lindjes dhe Perëndimit. Një kontribut të madh këtu patën edhe shtetet tona partnere. Pa besimin e tyre në një zhvillim të paqtë e pozitiv të Gjermanisë së bashkuar në Evropë bashkimi gjerman nuk do të kishte qenë i mundur.

Edhe këtë vit vende të shumta kanë dëshmuar besimin e tyre të madh kundrejt nesh. Në qershor Gjermania u zgjodh prej më shumë se 180 shtetesh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara me një mandat dyvjeçar. Për ne ky besim i komunitetit ndërkombëtar është një mision, që së bashku me partnerët tanë të vijojmë të kontribuojmë edhe më tej me të gjitha forcat në sigurinë dhe paqen në botë. Dhe kjo mund të realizohet vetëm në kuadër të një rendi botëror bazuar në rregulla. Multilateralizmi i vërtetë nuk duhet të çimentojë të drejtën e më të fortit, por duhet të krijojë kushte luajale për të gjithë. Dhe për këtë dëshirojmë të punojmë të gjithë së bashku në një aleancë multilateralizmi të hapur për të gjithë të interesuarit.

Bota e shek. XXI, e cila po shenjohet gjithnjë e më shumë nga varësi të ndërsjellta, kërkon prej nesh që të kapërcejmë izolimin. Edhe pse aktualisht  rrymat nacionaliste dhe populiste janë në rritje,  angazhimi kundër tyre është i mundshëm dhe gjëja e duhur për tu bërë.  Në Gjermaninë e ndarë të mes-viteve 80’të askush nuk do ta kishte konsideruar të mundshme rënien e Murit të Berlinit, e megjithatë ai ra vetëm pak vite më pas.

Edhe sot punojmë brenda Bashkimit Evropian dhe me partnerët tanë në mbarë botën që të kapërcejmë kundërshtitë, të zgjidhim krizat e konfliktet si dhe të mbështesim të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor.

Njëri prej mësimeve të ribashkimit të Gjermanisë është:  nëse je vetëm nuk ka kurrë progres të vërtetë.  Ne nuk bëjmë e nuk do të mund të bëjmë dot pa njëri-tjetrin.

Dhe është mirë kështu.