Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Fjala e të Dërguarit të Posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin pas takimit me Ministren e Jashtme, Olta Xhacka.

Gemeinsame Pressekonferenz mit Außenministerin Olta Xhacka

Gemeinsame Pressekonferenz mit Außenministerin Olta Xhacka, © Botschaft Tirana

17.03.2022 -

Faleminderit, zonja Ministre e Jashtme, edhe unë jam shumë i kënaqur me bisedën dhe gëzohem që do të bashkëpunoj me ju, sigurisht jo vetëm unë por e gjithë qeveria federale, dhe veçanërisht koleg’ja juaj, Ministrja Federale për Punët e Jashtme, Annalena Baerbock, prej së cilës ju përcjell përshëndetje të përzemërta.

Të them të drejtën, vitet e fundit si deputet i Bundestag-ut nuk kam qenë në Shqipëri për shkak të pandemisë, sepse kryesia e parlamentit gjatë kësaj periudhe nuk miratoi asnjë udhëtim, ndaj jam shumë i gëzuar që më në fund munda të vij sërish në Tiranë, në Shqipëri. Kur mbërrin në aeroport këtu ndihesh menjëherë mirë, ndihet që pranvera ka ardhur, dhe është një kënaqësi e vecantë të mund të jem këtu.

Për mua është e rëndësishme që menjëherë pas marrjes së detyrës të vizitoj të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kësisoj dëshiroj të bëj të qartë, që Shqipëria, BP dhe perspektiva e anëtarësimit në BE për të gjithë rajonin janë për ne të një rëndësie strategjike. Ky është prioritet i qeverisë sonë federale. Këtë ka nënvizuar edhe vizita e Ministres Federale Annalena Baerbock, gjatë javës së shkuar në rajon, dhe sigurisht, edhe krijimi i këtij posti dhe emërimi im në të është gjithashtu shprehje e kësaj rëndësie.

Sikundër ju e thatë, agresioni i Putinit ndaj një shteti sovran në Evropë evidenton se arritjet evropiane të dekadave të fundit, jeta në një zonë të hapur lirie dhe mirëqenieje, nuk janë dicka e vetëkuptueshme, dhe se ne duhet të angazhohemi rishtaz cdo ditë për mbrojtjen dhe konsolidimin e tyre. Dhe në bindjen time të palëkundur, mbrojtja dhe konsolidimi i BE-së si një zonë e hapur lirie dhe e të drejtës, është e mundur vetëm me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndaj dëshiroj të them përzemërisht, se për Qeverinë Federale është me një rëndësi të vecantë fakti, - cka nuk duhet harruar të thuhet – që linjësimi i përbashkët i politikave të jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë është mbështetur 100%. Ne shpesh bisedojmë rreth faktit që në procese të caktuara votimi ka vështirësi në përpjekjen për rritjen e linjësimit, ndaj nuk duhet të mbetet e paqartë që politikat e jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë janë në të njëjtën linjë me ato të BE.së. Për këtë ju falënderojmë dhe Berlini e ka ndjekur me vëmendje këtë.  

Qevera Federale ka punuar gjithmonë – qeveria e re gjithashtu - me gjithe forcën e mundshme për një nisje sa më të shpejtë të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Marrëveshja e Koalicionit Qeveritar është maksimalisht e qartë dhe konkrete në këtë drejtim. Kjo qeveri e re federale, Gjermania, shikon që është në interes të saj që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut më në fund të hedhin një hap vendimtar përpara drejt BE-së.

Marrëdhëniet tona dypalëshe janë të shkëlqyera. Prej 35 vitesh qeveria federale bashkëpunon ngushtë me Shqipërinë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, furnizimin me ujë dhe kanalizimet, për menaxhimin e problemeve të mbetjeve, si dhe për tematikën e eficencës së energjisë, kemi shënuar arritje të shumta dhe arritje të tjera janë përpara nesh. Por krahas këtyre ne takohemi dhe bashkëpunojmë me njëri-tjetrin edhe në fushën e kulturës dhe arsimit, atë të tregtisë dhe në forume të shumta ndërkombëtare. Pikërisht në këto kohë të vështira ne jemi të gëzuar që mund ta konsiderojmë Shqipërinë një partner të besueshëm në skenën ndërkombëtare. Me rolin e saj proaktiv dhe konstruktiv në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara Shqipëria – edhe pse për herë të parë pjesë e tij – është një forcë e rëndësishme pozitive aty.

Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara sa i takon demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut, si dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne shohim, që anëtarë të rrjeteve kriminale deri edhe zyrtarë të lartë janë paditur dhe pjesërisht edhe dënuar. Vetingu është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e drejtësisë. Këta janë hapa të rëndësishëm dhe shumë pozitivë  përpara dhe ne jemi duke i ndjekur ato me shumë vëmendje. Është e rëndësishme të ecet më tej në këtë drejtim.

Të gjitha vendet e BP – edhe rreth kësaj biseduam – përfitojnë nga një bashkëpunim rajonal më i mirë, ekonomia, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të gjitha këto e përshpejtojnë përafrimin me BE-në. Procesi i Berlinit bëri të qartë se cili është potenciali që fsheh bashkëpunimi gjithëpërfshirës i të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne si qeveri federale dëshirojmë të vijojmë në mënyrë aktive Procesin e Berlinit dhe në këtë kontekest edhe – por me një prioritet të rëndësishëm -  progresin në zbatimin e plan-veprimit të miratuar në Sofje 2020 për një Treg të Përbashëkt Rajonal. Krijimi dhe garantimi i katër lirive themelore të BE-së  në rajon është me rëndësi maksimale për mbarë rajonin.

Se çfarë mund të arrihet përmes bashkëpunimit rajonal e shohim edhe në Tiranë, apo në projektin e shkëmbimeve rinore të RYCO-s, me seli në Tiranë, një rrjet rinor i gjithë Ballkanit Perëndimor, sikundër edhe te heqja e tarifave roaming në rajon dhe thjeshtimi i procedurave në transportin ndërkufitar të mallrave. Unë si deputet jam angazhuar gjithnjë në mbështetje të RYCO-s, e cila është në vlerësimin tim një histori pozitive, të cilën unë e lidh gjithnjë me Tiranën, pasi në zyrën e RYCO-s në Tiranë kam dërguar shumë kolegë të mi ndërkombëtarë. Sigurisht ky projekt nuk është vetëm Shqipëria, por lidhet gjithsesi ngushtësisht me Tiranën.

Për qeverinë e re federale dhe Ministrinë e Jashtme Federale tema e mbrojtjes së klimës dhe mjedisit janë me rëndësi thelbësore, megjithë krizën në Ukrainë. Ndaj i shikoj me interes të vecantë iniciativat në mbrojtje të habitateve natyrore unike ende të pranishme në Shqipëri e rajon dhe për zgjerimin e energjive të rigjenerueshme përtej fuqisë hidrike. Ne jemi të gatshëm të mbështesim më tej në mënyrë që të mund të arrihen standarde të larta në mbrojtje të natyrës dhe mjedisit dhe të mund të mbrojmë natyrën e mrekullueshme të vendit tuaj edhe atje, ku ajo mund të jetë e rrezikuar.

Ndaj unë jam sot këtu për t’ju thënë që me qeverine e re nën drejtimin e Kancelarit Olaf Scholz Republika Federale e Gjermanisë dhe të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar do të vazhdojnë të jenë një partner i besueshëm në krah të Shqipërisë.