Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Fjalë e Ambasadores Schütz në kuadër të ceremonisë përkujtimore në kujtim të masakrës së Vehrmaht-it  Gjerman në Borovë / jug të Shqipërisë më 6 korrik 1943

06.08.2018 -

Shumë të nderuar banore/ë të Borovës,
Shumë të nderuar të ftuar,
Shumë të nderuar zonja dhe zotërinj,

Unë ju falënderoj shumë përzemërsisht që më ftuat të marr pjesë në ceremoninë përkujtimore në Borovë.

Për mua, si gjermane, e ca më shumë si ambasadore e Gjermanisë, ardhja në një vend të tillë si Borova në fakt nuk është një sipërmarrje e lehtë. Nuk është e lehtë, por as nuk mund e nuk duhet të jetë e lehtë të vizitosh një vend si Borova, ku si sot para 75 vitesh  në një ditë të nxehtë korriku kanë ngjarë  krimet më të rënda të Vermaht-it Gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

Nuk e kam të lehtë sepse në një ditë si kjo  e në një vend të tillë si gjermane mund të ndjesh vetëm turp për çka ka ndodhur. E megjithatë për mua në këtë përvjetor të 75-të të masakrës është e rëndësishme të përkujtoj së bashku me ju 107 viktimat, mes tyre shumë gra e fëmijë, të vrarë në mënyrë mizore në këtë fshat idilik.

75 vite janë një kohë e gjatë, por ne nuk duhet ta harrojmë të shkuarën. Viktimat kanë të drejtë të përkujtohen për padrejtësitë që u janë bërë, kanë të drejtë që emrat e tyre të ruhen në kujtesë.

Edhe pse të paslindurit nuk janë personalisht fajtorë për ato ngjarje, katastrofa është për ne një paralajmërim i vazhdueshëm, që paqja nuk është assesi dicka e vetëkuptueshme dhe që kërkimi i mirëkuptimit dhe pajtimit vazhdon të mbetet misioni ynë i kahershëm, me të cilin lipset të përballemi sërish e sërish.

Fakti që ne në Evropë u bëmë miq dhe partnerë përtej varreve që na ndanin, është një moment historik fatlum, për të cilin janë dashur shumë hapa të guximshëm. Pajtimi evropian vazhdon edhe sot të jetë një arritje madhështore dhe një sinjal shprese, vecanërisht në Ballkan ku lufta, dhuna dhe urrejtja janë pjesë e një të kaluare jo të largët.

Shqipëria dhe Gjermania janë sot partnerë të ngushtë në NATO dhe në Evropë. Pikërisht para pak ditësh vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë vendosur në parim çeljene bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë, në mënyrë që Shqipëria sikurse edhe fqinjët e saj në Ballkan të bëhen anëtarë të barabartë të Bashkimit Evropian.

Që tani Shqipëria luan një rol konstruktiv dhe të rëndësishëm si mbrojtëse e angazhuar Integrimit Evropian dhe e kapërcimit të armiqësive kinse  historike  në Ballkanin Perëndimor. Ndaj ne e përshëndesim shumë faktin, që Shqipëria është mjaft aktive në funksion të mirëkuptimit me fqinjët dhe të realizimit të iniciativave të tilla sikurse është Rrjeti Rajonal Rinor i Ballkanit Perëndimor, RYCO, cka do të japë një kontribut të rëndësishëm që të rinjtë e rajonit të mësojnë si të afrohen me njëri-tjetrin e të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët evropiane.

Sepse pikërisht ky është mësimi qendror, që do të duhej të nxirrnim prej tmerreve të të  shkuarës: duke përkujtuar së bashku ato ngjarje të dhimbshme, në një bashkëprani besimplote me njëri-tjetrin sigurojmë një të ardhme të paqtë për vete dhe brezat që do të vinë.

E sotmja është një ditë e vecantë reflektimi. Përkujtojmë të gjithë ata njerëz si sot që para 75 vjetësh humbën këtu jetën e tyre si dhe gjithë të afërmit që mbijetuan e u desh të vuanin kaq shumë.

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj.