Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Fjala përshëndetëse e Ambasadores Gjermane znj. Susanne Schütz

TË FRYMËZOJMË NJERËZIT - kjo moto e politikës së jashtme gjermane për çështje të kulturës dhe arsimit do të jetë këtë herë lajtmotivi i edicionit tanimë të 12-të të Tetorit Gjerman në Shqipëri.

Ambasadorja Susanne Schütz
Ambasadorja Susanne Schütz© S.S.

Shumë të nderuar zonja dhe zotërinj,
të dashur miq të Tetorit Gjerman,

“Të frymëzojmë njerëzit” - kjo moto e politikës së jashtme gjermane për çështje të kulturës dhe arsimit do të jetë këtë herë lajtmotivi i edicionit tanimë të 12-të të Tetorit Gjerman në Shqipëri. Me synimin që të mobilizojmë njerëzit e ne, nga ana tjetër, të frymëzohemi prej tyre dëshirojmë që edhe këtë vit përmes aktiviteteve të shumta e të larmishme të Tetorit Gjerman nga fusha të ndryshme si teatri, baleti, filmi, muzika dhe diskutimet të ofrojmë mundësi për aftësitë krijuese dhe idetë e reja, të stimulojmë dialogun dhe diskursin e sigurisht të shijojmë e vlerësojmë artin si të tillë.

Aktivitetet që prezantojmë në këtë program-broshurë janë të shumanshme e shumëformshme: Dëshirojmë të sjellim më pranë jush bukuritë e të paknjohurave sonatave për violinçel, t’ju rrëmbejmë ju dhe fëmijët tuaj drejt aventurash brenda ekraneve të kinemasë dhe t’ju prezantojmë skenën e subkulturës berlineze të viteve 80-të. Por do të ketë sërish edhe shumë projekte që do të na shtyjnë të reflektojmë e diskutojmë rreth temave politike, ekonomike dhe shoqërore, të tilla si: ç’mund të na mësojë teatri për luftën dhe pajtimin, si mund ta përkufizojmë pozicionin e gruas dhe burrit në shoqëri, si mund të demaskojmë Fake News apo se si mund të forcohet më tej ndërlidhja në rajon. E këtu ne mëtojmë - si gjithherë - të mos vimë me opinione apo pozicione të gatshme, por të vendosim në qendër shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave mes shqiptarëve dhe gjermanëve.

Falënderoj partnerët tanë shqiptarë e gjermanë për pjesëmarrjen me kaq shumë angazhim në formësimin e programit, për kontributin e tyre me tema që për publikun shqiptar janë interesante e të rëndësishme si dhe për realizimin e programit me kaq shumë energji dhe ide të mira. Falënderimi im i veçantë u shkon sponsorizuesve të shumtë, pa mbështetjen bujare të të cilëve organizimi i një programi të tillë ambicioz për Tetorin Gjerman nuk do të kishte qenë i mundur.

Uroj për të gjithë që edhe këtë vit Tetori Gjerman të shndërrohet në simbolin e miqësisë gjermano-shqiptare dhe shpresoj se me programin tonë do t’ia dalim të fitojmë mendjet dhe zemrat tuaja.

Përshëndetje miqësore,

Susanne Schütz
Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri