Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Fjala përshëndetëse e Ambasadorit Gjerman Peter Zingraf

Botschafter Peter Zingraf

Botschafter Peter Zingraf, © P. Z.

Të dashura mikesha dhe miq të kulturës gjermane dhe asaj shqiptare,

tridhjetë vjet më parë, në Berlin, do të ndodhte një ngjarje e rëndësishme, e cila do të ndryshonte historinë e Evropës dhe mbarë botës. Rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 ishte njëkohësisht një shembull që tregoi se ç’fuqi kolektive mund të prodhojë dëshira për liri e individit. Rënia e Murit si një “fitore e lirisë” pati për Gjermaninë dhe të gjithë Evropën një rëndësi të jashtëzakonshme. Këtë ngjarje e pasuan jo vetëm ribashkimi i dy Gjermanive, por edhe ndryshime sistemesh dhe procese transformimi në shumë shtete të Evropës Qendrore dhe asaj Lindore, në Shqipëri po ashtu. Edhe në Tiranë u shemb një mur në korrik të vitit 1990, pikërisht muri i Ambasadës Gjermane. 3500 refugjatët e vendosur në ambientet e ambasadës dhe udhëtimi i tyre për në Gjermani ishin fillimi i fundit të regjimit komunist në Shqipëri. Gërmadhat e mureve të rrëzuara ishin gjithashtu një pjesë e themelit për ribashkimin e Evropës.

Është kjo arsyeja pse ne dëshirojmë ta vendosim këtë jubile të tridhjetë të rënies së Murit të Berlinit në qendër të Javëve Gjermano-Shqiptare të Kulturës. Nën moton “gur, gur bëhet URË”, Tetori Gjerman i këtij viti do të ofrojë një program të larmishëm dhe cilësor. Në koncerte, debate, mbrëmje leximi, vallëzim, pjesë teatrale dhe filma, krahas shijimit të artit, dëshirojmë t’ju ftojmë edhe për reflektim dhe debat kritik. Ne duam t’i shtrojmë pyetjen vetes se, si mundet që së bashku të kapërcejmë mure dhe barriera, të vjetra e të reja – të dukshme e të padukshme. Qëllimi i Tetorit Gjerman mbetet i njëjtë edhe këtë vit, ne dëshirojmë që përmes aktiviteteve dhe projekteve tona të ndërtojmë ura shkëmbimi midis gjermanëve dhe shqiptarëve.

Me këtë katalog ju japim një busull, e cila përmes programit të larmishëm do ju orientojë në Tiranë dhe në qytete të tjera. Për herë të parë këtë vit mund të hyni në programin tonë edhe nëpërmjet smartfonit. Më shumë informacione rreth kësaj mund të gjeni në faqen e pasme të katalogut.

Nuk na mbetet tjetër veçse t’ju urojmë Ju dhe të gjithëve ne një Tetor Gjerman të trembëdhjetë frymëzues dhe të këndshëm. Për mua ky do të jetë përjetimi i parë i Javëve Gjermano-Shqiptare të Kulturës si Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri. Do të isha i lumtur të kisha rastin t’ju përshëndesja në aktivitetet tona.

Përzemërsisht,
Peter Zingraf
Ambasadori Gjerman në Shqipëri