Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Gërmime arkeologjike të Institutit Arkeologjik Gjerman (DAI) në (Lissos) Lezhë

24.05.2018 -

Nga 11 gushti deri më 5 tetor 2006 për herë të parë në qytetin e Lezhës, në veri të Shqipërisë, u kryen gërmime arkeologjike gjermano- shqiptare. Ky projekt ka për qëllim studimin e Lissosit të periudhës helenistike (rreth 323-80 p.e.s.) dhe mbështetet nga Fondacioni Gjerman për Kërkime Shkencore (DFG).

Studimet e deritanishme lënë ende të hapur diskutimin nëse Lissosi është themeluar me të vërtetë që në vitin 385/84 p.e.s nga Dionisi I i Sirakuzës si një nga kolonitë ë tij të Adriatikut, ashtu siç citon Didori apo nëse bëhet fjalë këtu për një themelim të mirëfilltë ilir të shekullit të III p.e.s.. Sidoqoftë, në periudhën helenistike Lissos ishte një qytet i mirë fortifikuar, rëndësia e të cilit përcaktohej nga vendndodhja e tij midis dy rrugëve të rëndësishme tregtare si dhe nga porti i tij i përshtatshëm për anije.

Fakti që Lisosi si qytet vazhdimisht i populluar është i përshtatshëm për studimin e periudhës helenistike shpjegohet me historinë dramatike të Lezhës së sotme. Mbas tërmetit të rëndë të vitit 1979 u rindërtuan pjesë të mëdha të qytetit të cilat shtrihen mbi territorin antik. Rreth Kishës së Shën Kollit, atje ku heroi kombëtar Skënderbeu në vitin 1444 themeloi Lidhjen e Lezhës, u ngrit një park arkeologjik në të cilin u zhvendosën ndërtime nga periudha e Mesjetës dhe pjesërisht shtresa kulturore të periudhës romake.

Kërkimet arkeologjike shqiptare të viteve 1970-të dhe 80-të iu përkushtuan mbi të gjitha murit rrethues të qytetit, një ndërtim mbrojtës ky nga më mbresëlënësit dhe më interesantët e periudhës antike nëterritorin e Shqipërisë i cili ngrihet mbi mal deri në një lartësi prej 160 m. Mbi akropolin antik u ndërtua më vonë kështjella veneciane-osmane.

Gërmimet e reja arkeologjike në Lissos synojnë studimin e strukturës urbane të qytetit helenistik. Për këtë u përgatit një hartë e re e qytetit me pjesët ekzistuese të murit të qytetit e cila korrigjon në shumë vende hartat e vjetra të C. Praschniker dhe A. Schober (1919) si dhe ato të F. Prendi (1972).

Nga pikëpamja gjeo-fizike u studiuan pjesa e poshtme e qytetit, e cila përdoret si vend parkimi dhe dy tarraca në pjesën e sipërme të qytetit. Toka kompakte me argjil lejoi të kryeshin matje gjeo-fizike deri në një thellësi prej 1.30 m. Ndërhyrjet nga epoka e Mesjetës dhe ditëve të sotme në Lezhë pengojnë krijimin e një pamjeje të plotë të qytetit antik. Gërmimet arkeologjike që tashmë kanë filluar do të japin kontributin e tyre për kuptimin më të mirë të rezultateve të matjeve gjeo-fizike.

Një vështrim mbi Lissosin e shekullit I p.e.s. e mundësuan gërmimet arkeologjike të kryera në zonën A pranë monumentit të Skënderbeut. U zbuluan pjesë të mëdha të një ndërtimi të mbuluar me fragmente të qindra amforave i cili daton nga shekulli I p.e.s.. Ky ndëtim mbështetet pjesërisht mbi mure të vjetrër të cilët sipas teknikës së tyre duket të kenë qënë pjesë e murit të qytetit në fazën e hershme të tij. Faza të shumta të ndryshimit urban të qëndrës së qytetit dallohen këtu qartësisht. „Porta e limanit „ në murin e qytetit (zona "C" e germimit arkeologjik) e zbuluar nga gërmimet arkeologjike të viteve 80-të u gërmua përsëri duke u lënë e lirë për kërkime të mëtejshme. Sondimet sollën në rezualtatin se në lindje të kësaj porte gjënden madje edhe shtresa të periudhës romake të vonë.

Nën drejtimin e palës shqiptare u kryen gërmime arkeologjike të kufizuara edhe në një ndërtesë e cila është shfrytëzuar si banjë termale deri në periudhën antike të vonë. Në një prej dhomave u zbulua qeramikë e shekullit I p.e.s.. Në këtë mënyrë shtrohet sërisht pyetja mbi datimin e kësaj ndërtese e cila është e lidhur me portën jugore të pjesës së poshtme të qytetit.

Objekt i studimeve të veçanta ishte vetë muri rrethues i qytetit, fazat e shumta të të cilit janë dokumentuar përmes një përshkrimi ndërtimor të detajuar. Në vitin 2007 do të kryhen sondime të mëtejshme për të nxjerrë të dhëna mbi kronologjinë e plotë të tij.

Një pjesë e projektit iu kushtua studimit të rrethinave: Në zonën bregdetare të Lezhës u kryen 19 shpime të cilat kanë dhënë tashmë rezultatet e para të rëndësishme mbi pozicionimin e linjës bregdetare në periudhën antike, rrjedhën e lumit Drin dhe mbi të gjitha mbi vendndodhjen e portit së supozuar në periudhën antike.

Në zona të përzgjedhura në veri-perëndim të bregdetit shqiptar këto kërkime u shoqëruan nga një ekip arkeologjik mbikqyrës. Gjatë këtyre kërkimeve u shqyrtuan zona të shumta të cilat deri më sot ishin të panjohura për ekspertët. Rezultatet e këtyre proceseve do të përmblidhen ne një sistem gjeo-informatik (GIS).

Burimi:
Zyra qëndrore e Institutit Arkeologjik Gjerman;  Raporti i tremujorit të tretë për vitin 2006
Teksti ёshtë ndryshuar gjatë redaktimit.