Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts
Mbështetje për Muzeun e Fotografisë Marubi
Projekti më i fundit është mbështetja e Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi. Me fonde të programit për Ruajtjen e Vlerave Kulturore janë blerë kuti konservimi dhe zarfe speciale, me të cilat muzeu ka arkivuar dhe ruajtur sipas standarteve rreth 500.000 negativë.

Kutitë e reja speciale të siguruara prej Ambasadës Gjermane i mundësojnë Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi të aplikojë një sistem të ri konservimi të negativëve të saj mjaft të vyer. Inventari i Muzeut Kombëtar të Fotografisë MARUBI përfshin rreth 500.000 negativë, mes të cilëve 150.000 negativë xhami mjaft të ndjeshëm e me vlerë, të cilët deri më tani nuk ishin ruajtur në mënyrën e duhur.

“Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi ka një thesar unik kulturor të Shqipërisë”, u shpreh Ambasadorja Schütz. “Fotot, negativët dhe dokumentat kanë një vlerë të spikatur jo vetëm artistike, por edhe dokumentuese, për Shqipërinë dhe për Evropën. Për mua është kënaqësi që mundëm të kontribuonim në mbrojtjen dhe ruajtjen e mëtejshme të kësaj trashëgimie të rëndësishme të Shqipërisë.”
Programi për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Jashtme Federale angazhohet në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në mbarë botën. Në Shqipëri Ministria e Jashtme Federale ka mbështetur që prej vitit 1989 njëzet projekte për ruajtjen e vlerave kulturore, sikure janë restaurimi i Kishës së Shën Antonit në Kepin e Rodonit, restaurimi i mozaikut paleokristian në Parkun Antigonea dhe mbrojtja e ikonave në Korçë.