Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Aplikim për vizë me qëllim frekuentim shkolle / shkëmbim nxënësish në Gjermani

Lutemi të lexoni me kujdes këtë fletë-informacioni dhe formularin e aplikimit  dhe përmbajuni saktësisht udhëzimeve.

Në raste të veçanta, gjatë aplikimit apo procedurës së vizës, mund të kërkohen nga Ambasada  dokumenta të caktuara të papërmendura më sipër.

Aplikimet e plotësuara në mënyrë të  mangët apo dokumentacioni  i paplotë mund të çojnë në refuzimin e aplikimit. Si pasojë do të nevojitet rezervimi i një date të re aplikimi përfshirë periudhat përkatëse të pritjes.

Për aplikimin ju nevojitet dokumentacioni në formën e përshkruar më poshtë:

1.

Formularë aplikimi për vizë

1 copë, të plotësuara në mënyrë plotësisht të lexueshme, të nënshkruara personalisht.

2.

Tarifa

Tarifat dhe detyrimet duhet të paguhen kesh në monedhën shqiptare LEK. Tarifa  është 75,00 Euro përllogaritur me kursin aktual të këmbimit.

3.

Fotografi pashaporte

2 fotografi identike biometrike për pashaportë, jo më të vjetra se 6 muaj, me sfond të bardhë, madhësia 45x35 mm.

Dokumentat e mëposhtme duhen dorëzuar në origjinal, me një kopje (Dokumentet e kopjuara nuk duhet të jenë të kapura, apo të ngjitura!)

4.Pashaporta e udhëtimit

Të paktën dy fletë bosh. Lutemi mbani në konsideratë që afati i vlefshmërisë së pashaportës duhet të jetë 6 muaj më i gjatë se kohëzgjatja e vizës.

5.

Konfirmimi i pranimit në shkollë

Konfirmim i shkollës pritëse në Gjermani, sipas të cilit bëhet fjalë për një shkollë shtetërore apo të njohur nga shteti, apo për një shkollë e cila financohet pjesërisht apo tërësisht me fonde private, që përgatit nxënësit për përftimin e diplomave ndërkombëtare, apo diplomave të vendeve të tjera apo diplomave të njohura nga shteti dhe vecanërisht në rastin e shkollave me konvikt garanton një përbërje nxënësish me shtetësi të ndryshme.

6

Çertifikatë lindjeje e nxënësit

Origjinali i certifikatës së lindjes. Certifikatat që nuk janë në gjuhën gjermane dhe nuk lëshohen sipas një formulari ndërkombëtar duhet të përkthehen dhe të pajisen me vulën apostille. Përkthimi duhet të jetë i noterizuar.

Certifikatat shqiptare me formular ndërkombëtar NUK kanë nevojë të përkthehen, por duhet të mbajnë vulën apostile.

7.

Ftesë e prindërve pritës, e të afërmit që jeton në Gjermani apo e konviktit përkatës

Ftesa duhet të pëmbajë një deklaratë për garantimin e strehimit dhe ushqimit.
8.Dëshmi për kujdesin / dakordësinë e prindërve lidhur me qëndrimin për shkollim në GjermaniDeklaratë noteriale mbi dakordësinë e prindërve me qëndrimin e fëmijës në Gjermani dhe autorizimin e të afërmve që jetojnë në Gjermani / familjes pritëse / shkollës për vendimmarrje lidhur me aspekte të jetës së përditshme të fëmijës.  Certifikatat që nuk janë në gjuhën gjermane dhe nuk lëshohen sipas një formulari ndërkombëtar duhet të përkthehen dhe të pajisen me vulën apostille. Përkthimi duhet të jetë i noterizuar.
9.

Dëshmi e financimit

Dëshmi rreth pagesës  së tarifës së shkollës DHE dëshmi për mjete financiare të mjaftueshme gjatë kohëqëndrimit për qëllim shkollimi në Gjermani (p.sh. deklaratë garancie e të afërmve që jetojnë në Gjermani, deklaratë e shkollës për marrjen përsipër të shpenzimeve ose Llogari Bankare e Bllokuar)

10.

Siguracion shëndetësor

Për të gjithë kohëqëndrimin është  e domosdoshme të paraqitet një dëshmi siguracioni shëndetësor (siguracioni i udhëtimit nuk është i mjaftueshëm).

11.

Nëse nevojitet: konfirmim i organizatës ndërmjetësuese rreth shkëmbimit të nxënësve  apo konfirmim i shkollave në Gjermani dhe Shqipëri rreth shkëmbimit zyrtar të nxënësve

Konfirmimi i organizatës për shkëmbimin e nxënësve në Gjermani

O s e

Konfirmimi i shkollës dërguese në Shqipëri dhe asaj pritëse në Gjermani, që në këtë rast bëhet fjalë për një shkëmbim ndërkombëtar nxënësish, mbi bazën e një marrëveshjeje zyrtare.

Në rastin e aplikimit për vizë Ambasada, si rregull, duhet të përfshijë në procedurë zyrën përkatëse për të huajt në Gjermani. Në varësi të zyrës së të huajve procedurat mund të zgjasin deri në 3 muaj. Ndaj aplikoni për vizë në kohën e duhur. Lutemi për mirëkuptimin Tuaj që brenda 12 javëve të para, prej ditës së aplikimit, nuk mund t’u japim përgjigje pyetjeve lidhur me stadin aktual të procedurës.

Klauzolë e përjashtimit nga përgjegjësia:

Të gjitha informacionet e mësipërme përcillen pa garancinë se janë të sakta apo të plota. Ato bazohen në stadin informativ të Ambasadës në momentin e hartimit të tyre.