Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Hapja dhe mbyllja e një llogarie të bllokuar

21.10.2024 -

Në kuadër të procesit të vizës ju duhet të dëshmoni se mund të financoni shpenzimet e jetesës tuaj në Gjermani. Një mundësi për ta kryer këtë është llogaria e bllokuar.

Çfarë duhet të kem parasysh për hapjen e një llogarie të bllokuar?

  • Llogaria e bllokuar mund të hapet pranë një banke apo një ofruesi shërbimesh të ngjashme. Ju jeni i lire të zgjidhni ofruesin tuaj të shërbimeve. Zakonisht llogaria e bllokuar mund të hapet online. Llogaritë e bllokuara ofrohen me kushte të ndryshme, prandaj ju sugjerojmë që pas një hulumtimi të hollësishëm të zgjidhni ofruesin tuaj të shërbimeve, në Gjermani dhe në shumë shtete të tjera ku ofrohet ky shërbim. Përveç shumës së bllokuar ju duhet të merrni përsipër edhe komisionet e llogarisë.
  • Për të mbuluar shpenzimet e përditshme të jetesës në Gjermani ju duhet të bllokoni një shumë të mjaftueshme në llogari (përveç rasteve kur dëshmoni mbi mundësi të tjera financimi). Shuma e bllokuar ndryshon në varësi të qëllimit tuaj të qëndrimit dhe bazohet në normat maksimale të financimit BAFöG. Informacione mbi shumën që duhet të paguani në llogarinë e bllokuar i gjeni në faqen zyrtare të përfaqësisë diplomatike (Ambasadës Gjermane) ose në portalin për të huajt (Auslandsportal). Zakonisht llogaria e bllokuar hapet për një periudhë 1-vjecare, përveç rasteve nëse planifikoni një qëndrim më të shkurtër.
  • Nga llogaria e bllokuar mund të tërhiqet çdo muaj vetëm një shumë e caktuar. Në ketë mënyre sigurohet që shuma minimale e nevojshme të jetë në dispozicion për çdo muaj dhe paratë, që p.sh. duhet t'ju mjaftojnë për të gjithë vitin mos të shpenzohen që në fillim të qëndrimit tuaj. 
  • Nëse hapni një llogari të bllokuar duhet të emëroni edhe një “përfitues”. Ky mund të jetë përfaqësia diplomatike (Ambasada Gjermane), ku ju keni aplikuar për vizë (para ose pas përdorimit të vizës) ose zyra përkatëse për të huajt (pas hyrjes në Gjermani). Përfituesi nuk ka të drejtë të prekë shumën në llogarinë tuaj.

Si mund ta mbyll një llogari të bllokuar?

Për të mbyllur llogarinë e bllokuar duhet të shfuqizoni qëllimin e bllokimit. Kjo është e mundur vetëm nëse përfituesi (pra përfaqësia diplomatike (Ambasada Gjermane) apo zyra e të huajve) e pranon këtë.

Nëse kërkesa juaj për vizë nacionale është refuzuar, atëherë mjafton të paraqisni shkresën e refuzimit për të mbyllur llogarinë e bllokuar.

Në të kundërt, përfaqësia diplomatike (Ambasada Gjermane) mund te lëshoje një vërtetim konsullor për të shfuqizuar qëllimin e bllokimit për bankën tuaj ne Gjermani, nëse ju:

  1. nuk keni aplikuar për një vizë dhe për këtë arsye nuk keni hyrë në Gjermani ose
  2. keni aplikuar për një vizë, por jeni tërhequr nga aplikimi ose
  3. keni aplikuar dhe e keni marrë një vizë, por nuk e keni përdorur ose 
  4. keni aplikuar dhe e keni marrë një vizë, por keni dalë nga zona e shengenit para se të merrnit lejen e qëndrimit nga zyra e të huajve.

Ju lutemi t'i drejtoheni përfaqësisë diplomatike pranë vendbanimit tuaj (pika 1) ose përfaqësisë diplomatike, pranë së cilës keni kryer aplikimin për vizë (pika 2-4).

Nëse tashmë ndodheni në Gjermani ju lutemi t'i drejtoheni zyrës së të huajve, në mënyrë që mund të shfuqizohet qëllimi i bllokimit.