Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Fjala përshëndetëse e Ambasadorit Zingraf me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë

Botschafter Zingraf

Botschafter Zingraf, © Botschaft Tirana

03.10.2021 - Rede

Të dashur miq pranë ekranit dhe të pranishëm këtu në kopshtin e Ambasadës,

Festojmë sot Ditën e Bashkimit Gjerman, e cila para 31 vitesh shenjoi fundin e ndarjes së Gjermanisë, e, me rënien e Murit të Berlinit e të Perdes së Hekurt, edhe fundin e ndarjes së Evropës. Në këtë kontekst përkujtojmë këtu në Tiranë edhe dyndjen e mijëra shqiptarëve në Ambasada më 2 korrik 1990, si fillimin e fundit të izolimit në Evropë.

Edhe këtë vit për shkak të pandemisë fatkeqësisht nuk mund të kemi një festë të madhe me qindra miq, por gëzohem që brenda këtij rrethi të ngushtë mikpresim partnerë të rëndësishëm, duke nisur me Shqipërinë zyrtare (përfaqësuar sot nga z. Prof. Panariti prej Institucionit të Presidencës), për të vijuar me institucionet gjermane aktive në vend deri te partnerët evropianë e ndërkombëtarë (përfaqësuar nga Presidenca Sllovene e Këshillit të BE-së me Ambasador Peter Japelj, dhe miqtë e fqinjët tanë francezë – edhe këtu në Tiranë – me Ambasadoren Elisabeth Barsacq). Shumë miq të tjerë prej shoqërisë shqiptare, komunitetit gjerman dhe partnerëve diplomatikë e ndërkombëtarë mungojnë sot.

Vitin e shkuar kemi bërë hapa vendimtarë përpara me qëllim zbutjen e pandemisë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë askush nuk ishte i vaksinuar, madje as nuk ishte e sigurt, nëse do të kishte një vaksinë. Sot grupe veçanërisht vulnerable janë të mbrotjura shumë më mirë. Por lufta vazhdon dhe ne të gjithë duhet të marrim pjesë në të, në mënyrë të veçantë duke patur parasysh stinën e ftohtë që është duke nisur dhe qëndrimet më të gjata në ambjente të mbyllura. Respektoni masat e kujdesit për mbrojtjen tuaj dhe të familjes e miqve tuaj si dhe në dobi të kufizimit të pasojave për ekonominë dhe shoqërinë! Sa i përket luftës ndaj pasojave të pandemisë unë them me krenari që Bashkimi Evropian, e krahas tij Gjermania në nivel dypalësh, e kanë mbështetur Shqipërinë partnere përmes programesh voluminoze sikundër edhe në menaxhimin e pasojave të tërmetit.

Vizita e Kancelares Federale Angela Merkel para dy javësh në Tiranë tregoi edhe njëherë fuqishëm se sa rëndësi i kushton Gjermania integrimt të Shqipërisë dhe rajonit në Bashkimin Evropian. Zonja Merkel theksoi, se kushtet për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit janë përmbushur. Ne jemi duke punuar me të gjitha forcat për të mënjanuar të gjitha pengesat e mbetura. Po shfrytëzoj rastin për të përgëzuar qeverinë e re shqiptare dhe Kryeministrin Rama si dhe për t’u uruar fat, energji dhe maturi në vijimin e mëtejshëm të programit ambicioz të reformave. Në të njëjtën kohë përshëndes kthimin e opozitës në parlament dhe i uroj edhe asaj, dhe drejtuesit të opozitës Lulzim Basha, fat, forcë dhe largpamësi për këtë rol tejet thelbësor të saj. Në një shumësi sektorësh të rëndësishëm të politikës – përmend këtu si shembull atë të vijimit të reformës në drejtësi dhe reformës zgjedhore – është e nevojshme shumica e cilësuar e kësisoj edhe bashkëveprimi konstruktiv i shumicës qeveritare dhe opozitës.

Kushtet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, sikurse është thënë, janë përmbushur. Reformat bazë, në mënyrë të veçantë ajo në sistemin e drejtësisë, reforma në administratë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të vijojnë më tej dhe unë përshëndes pozicionin e qartë të shumicës dhe opozitës në këtë kontekst udhëhequr prej yllit orientues të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ngritja e strukturave eficiente të koordinimit me BE-në do të jetë me rëndësi qendrore jo vetëm për bisedimet konkrete të anëtarësimit, por gjithaq edhe tani, për të intensifikuar bashkëpunimin ekzistues dhe për të shfrytëzuar fondet e shumta, që janë vënë në dispozicion nga Brukseli dhe shtetet anëtare, në mënyrë efektive orientuar për nga e ardhmja. Në këtë pikë dëshiroj të përsëris që Bashkimi Evropian është dhe mbetet partneri strategjik, i besueshëm dhe solidar i Shqipërisë. Gjermania e mbështet dhe plotëson këtë orientim përmes programeve të saj dypalëshe!

Në mbyllje më lejoni të bëj pak reklamë për muajin tonë tanimë tradicional të kulturës në Tiranë, Tetorin Gjerman, Deutscher Oktober, i cili zhvillohet për herë të 15-të, këtë herë nën moton „Forca – wir machen weiter!“ (Forca – ecim përpara!), sepse edhe në kohë pandemie ne duam të forcojmë më tej shkëmbimet tona kulturore. Informohuni në aplikacionin ‚Tetori Gjerman‘ ose në internet në faqen: tetori-gjerman.com. Shpresoj që shumë prej jush t’i shoh në aktivitete!

Dhe tani të ngremë gotat për miqësinë gjermano-shqiptare! Gëzuar!

nach oben