Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Mesazhi i Ambasadorit Gjerman Karl Bergner me rastin e 3 tetorit, “Ditës së Bashkimit të Gjermanisë”

02.10.2025 -

Sot festojmë Ditën e Bashkimit të Gjermanisë. Kjo ditë na kujton ribashkimin paqësor të vendit tonë 35 vjet më parë - është një festë e lirisë, demokracisë dhe aftësisë për vetëvendosje - edhe kufijtë në dukje të padepërtueshëm mund të kapërcehen! Sot kujtojmë edhe guximin e qytetarëve shqiptarë që gjithashtu 35 vjet më parë u ngjitën në murin e Ambasadës Gjermane drejt lirisë. Megjithatë bashkimi i Gjermanisë nuk është vetëm një sukses i brendshëm gjerman. Edhe aleatët dhe partnerët tanë kanë dhënë kontributin e tyre në këtë drejtim përmes dekadash të tëra solidariteti. Nga përvoja e ndarjes dhe ribashkimit, kemi mësuar se paqja, liria dhe demokracia nuk janë të vetëkuptueshme, për to lipset angazhimi i përbashkët dhe aktiv i të gjithëve.

Një parakusht qendror për këtë është siguria: siguria nuk është gjithçka, por përbën themelin e lirisë dhe prosperitetit tonë. Kërcënimet e paraqitura nga dronë të paidentifikuar - por që presupozohet të jenë rusë - mbi aeroportet daneze pak para samitit të KPE-së në Danimarkë e theksojnë këtë aspekt, ashtu sikundër edhe incidentet në shtetet e tjera evropiane. 

Kur e zgjerojmë perspektivën tonë, sfidat janë të mëdha: u bënë tanimë më shumë se tre vjet prej shpërthimit të luftës brutale të agresionit rus kundër Ukrainës, kemi gjithashtu një krizë të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, një rend botëror gjithnjë e më të fragmentuar, rivalitete të reja midis fuqive të mëdha - dhe lista për fat të keq vazhdon më tej.

Në këtë kohë sfidash të thella, Gjermania, si ekonomia më e madhe e Evropës, mban një përgjegjësi të veçantë. Ndaj ne do të punojmë me partnerët tanë në BE dhe NATO për të ndjekur në mënyrë aktive synimet e mëposhtme:

  • Së pari, duhet të ruajmë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Për ta bërë këtë, do të mbështesim OKB-në dhe organizatat e tjera ndërkombëtare në mënyrë që të përballojmë së bashku sfidat globale siç janë për shembull ndryshimet klimatike.
  • Së dyti, duhet të forcojmë kolonën evropiane të NATO-s: Kjo ka të bëjë me sigurinë e Evropës në tërësi, për të cilën duhet të kontribuojnë të gjithë, qofshin anëtarë të BE-së dhe/ose të NATO-s. Prandaj, Gjermania do të ofrojë mbi 500 miliardë euro deri në vitin 2029 për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Gjermanisë dhe të aleancës.
  • Ne gjithashtu vlerësojmë kontributin që Shqipëria jep në NATO dhe përmes pjesëmarrjes në misionet në kuadër të politikave të përbashkëta të mbrojtjes dhe sigurisë. Jemi mirënjohës për qëndrimet e saj në përputhje të plotë me ato të BE-së në politikën e jashtme dhe, më e rëndësishmja me vlerat e BE-së.
  • Dhe së treti, ne duhet ta zhvillojmë më tej BE-në si një aktor të fortë dhe të bashkuar në botë. Bashkimi Evropian garanton sigurinë dhe lirinë e mbi 450 milionë njerëzve. Ne duhet të forcojmë aftësitë tona mbrojtëse, të zvogëlojmë varësitë dhe të promovojmë në mënyrë aktive vlerat tona. Kjo gjithashtu do të thotë se ne duhet të punojmë për integrim më të thellë në fusha të tilla si siguria, ekonomia dhe mbrojtja e klimës.

Situata sfiduese në fushën e sigurisë përmendet shpesh si një argument gjeopolitik për zgjerimin e BE-së: por kjo është e vlefshme vetëm nëse zgjerimi sjell një rritje të sigurisë për Unionin. Një parakusht për këtë është stabiliteti i brendshëm dhe vlerat e përbashkëta të anëtarëve të rinj: BE-ja bazohet në vlerat thelbësore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Këto nuk janë thjesht fraza, por kushti i domosdoshëm për solidaritet të ndërsjellë dhe rezistencë ndaj ndikimit të jashtëm. Kjo natyrisht vlen edhe për pranimin e Shqipërisë në BE. Ne mirëpresim momentin kulmor në këtë proces, siç është shprehur në hapjen e pesë grup-kapitujve të bisedimeve. Dhe besojmë se qeveria do të tregojë të njëjtën vendosmëri në zbatimin e ndryshimeve të nevojshme, të cilat përmbushin pritjet e qytetarëve shqiptarë dhe evropianë.

Gjermania qëndron pranë Shqipërisë në procesin e pranimit në BE bazuar në meritë. Ne e mbështesim Shqipërinë në reformat e nevojshme dhe në forcimin e institucioneve të saj, promovimin e shoqërisë civile dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Këto janë gjithashtu pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, siç kam mundur të mësoj në shumë biseda. Ata presin, për shembull, bashkëpunim konstruktiv në parlament, respektimin e ndarjes së pushteteve dhe institucione të pavarura gjyqësore.

Dhe ata presin vazhdimësinë e luftës kundër korrupsionit, dhe në këtë pikë dëshiroj të shpreh respektin tim për SPAK-un dhe shumë anëtarë të tjerë të gjyqësorit, të cilët punojnë çdo ditë për shtetin ligjor, dhe i rezistojnë korrupsionit dhe presionit publik. Nuk mund ta vlerësoj mjaftueshëm performancën e tyre.

Megjithatë, mbështetja gjermane nuk kufizohet vetëm në anëtarësimin në BE dhe në fushën e të ashtuquajturave "themelore". Ne duam që Shqipëria të jetë një vend i qëndrueshëm dhe i begatë që u ofron qytetarëve të saj një jetesë të mirë. Popullsia shqiptare dëshiron që rritja e fortë ekonomike e viteve të fundit të arrijë edhe tek ata, të ashtuquajturit "njerëz të vegjël". Prandaj, Gjermania mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik përmes organizatave zbatuese GIZ dhe KW. Me 37 vite të këtij bashkëpunimi Gjermania është donatori dypalësh më i madh dhe më jetëgjatë në Shqipëri.

Qëllimi i bashkëpunimit gjerman është gjithmonë të forcojë kapacitetet e partnerëve në të gjitha projektet tona. Një shembull i mirë është partneriteti administrativ midis autoriteteve të konkurrencës së vendeve tona, i cili do të fillojë në nëntor.

Bashkëpunimi ynë promovon potencialin e madh të vendit, për shembull në fushën e turizmit të qëndrueshëm: Paraqitja spektakolare e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit të këtij viti në Berlin tërhoqi vëmendje të madhe dhe pozitive. Gjermania gjithashtu mbështet krijimin e kushteve kuadër të qëndrueshme dhe zgjerimin e infrastrukturës bazë të rëndësishme, si në fushat e energjisë, ujit dhe ujërave të zeza, ashtu edhe duke mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht në zonat rurale. Me ndihmën e një projekti të madh të GIZ-së po trajtojmë gjithashtu edhe efektet gjithnjë e më të prekshme të ndryshimeve klimatike.

Shkëmbimet e hapura me partnerët tanë gjatë vizitave në projekte, veçanërisht në zonat rurale, më prekin ndjeshëm: ato janë konfirmimi, se po bëjmë gjënë e duhur. Për këtë, do të doja të falënderoja veçanërisht punonjësit e organizatave zbatuese, por edhe mijëra partnerë të projekteve në Shqipëri.

Gjatë të gjitha vizitave të mia në vend, më ka lënë mbresë të thellë peizazhi piktoresk, por edhe diversiteti kulturor i Shqipërisë: ato e bëjnë Shqipërinë një vend të denjë për të jetuar dhe për t’u dashur. Ky diversitet vlen edhe për Gjermaninë, dhe ne duam ta shprehim këtë në Javën e Kulturës Gjermane, e cila fillon nesër, pra të premten, datë 3 tetor, në orën 17:00 me një festë të madhe në mabjent të hapur në Pazarin e Ri. Në ditët në vijim, do të tregojmë të gjithë spektrin e kulturës gjermane, nga muzika klasike, te filmi gjerman dhe deri te muzika tekno. Dhe sigurisht, do të sjellim pak atmosferë Oktoberfest në Tiranë gjatë festës së ditës së nesërme në rrugë. Detajet e programit mund të gjenden në faqet tona të mediave sociale :

Facebook: https://www.facebook.com/AmbasadaGjermaneTirana 
Instagram: https://www.instagram.com/ambasadagjermanetirana/ 
Fq. Web: https://tirana.diplo.de/al-de/willkommen-in-albanien/2737354-2737354

Ju uroj të gjithëve një ditë shumë të bukur e të lumtur të Bashkimit të Gjermanisë!