Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts
Zanafillat e Ambasades Gjermane në Tiranë
Deutsche Botschaft Tirana, © Deutsche Botschaft Tirana
Dr. Werner Bartels
Ministria Federale e Punëve të Jashtme, Shërbimi i Përkthimeve
Deri në vitin 1987, Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë dhe një prej shumë pak shteteve në botë, me të cilat Republika Federale e Gjermanisë nuk kishte marrëdhënie diplomatike. Pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha në prill 1985, regjimi nisi të zbuste disa nga dogmat dhe udhëzimet e përcaktuara prej Hoxhës. – Ajo që kishte filluar me bisedime dypalëshe më 27 prill 1984 – kur Enver Hoxha ishte akoma gjallë – , u përfundua në vjeshtën e 1987-ës: Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Popullore Socialiste e Shqipërise (ky ka qenë emri zyrtar i shtetit në atë kohë) vendosën marrëdhëniet në nivelin më të lartë shtetëror. Një ngjarje epokale në këtë pjesë të rrugës ishte vizita gjashtëorëshe e Ministrit të Jashtëm Hans-Dietrich Genscher në Tiranë më 23 tetor 1987.
Kuptohet se vendosja e marrëdhënieve diplomatike solli me vete nevojen e hapjes së një ambasade. Ndërtimi i kancelarisë së ambasadës dhe të rezidencës pranë saj në rrugën “Skënderbej” (ku në atë kohë gjendej rreth gjysma e përfaqësive diplomatike të akredituara në Tiranë) filloi që në vitin 1987; ndërsa gjatë muajve të para – deri afërsisht në mes të 1988-ës – kancelaria u vendos në një suitë të hotelit “Dajti” ne bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në qendër të Tiranës. Ambasadori Dr. Friedrich Kroneck, këshilltari i ambasadës Dr. Werner Daum si dhe punonjësit e tjerë të ambasadës banuan në dhomat përreth. Në mesin e vitit 1988 kancelaria si dhe shumica e punonjësve (me përjashtim të ambasadorit) u shpërngulën në pjesën e mesme të “Pallatit Blu” vetëm disa hapa larg ambasadës, në anën tjetër të rrugës.
Në qershor 1990, pas peripecive dhe vonesave të shumta, kancelaria e ambasadës më në fund u shpërngul në ndërtesën e sapopërfunduar. Mirëpo, vetëm disa ditë pasi punonjësit e ambasadës u ambientuan në njëfare mase në godinën e re, ndodhi diçka që disa muaj më parë do të ishte e papërfytyrueshme: në ditët e para të korrikut, 3200 shqiptarë – një për mijë banorë të vendit – vërshuan në oborrin e ambasadës gjermane. Shumica prej tyre ishin burra të rinj, të shtyrë nga dëshira të zjarrtë që tё linin pas Shqipërinë dhe të kërkonin fatin e tyre në perëndimin gjoja të artë. (Kush ka parë filmin artistik italo-shqiptar “Lamerica”, mund të krijojë një përshtypje të përafërt.)
Një përshkrim më i hollësishëm i ngjarjeve, të cilat morën fund pas dy javëve – kur okupuesit u transportuan me autobusa për në Durrës, nga ku ata vazhduan rrugën me anije në drejtim të Italisë – gjendet në hyrjen e shkruar nga Werner Daum-i të librit “Albanien zwischen Kreuz und Halbmond” (Shqipëria mes kryqit dhe gjysmëhënës, Muzeu Shtetëror Etnografik, Mynih 1998, f. 34-35)
Në vijim – deri në pranverë 1991 – ambasada punoi me “avull” të reduktuar: punonjësi i vetëm gjerman ishte një i ngarkuar me punë, i cili u ndërrua herë pas here. Pjesa tjetër e personelit gjerman ishte shpërngulur përkohësisht në selinë qendrore të Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme. Gjatë asaj kohe u zhvilluan në Shqipëri disa ngjarje të jashtëzakonshme: në dhjetor të 1990-ës studentët në Tiranë dolën në rrugë për të protestuar kundër kushteve të papranueshme në konvikte, ndërsa shumë shpejt nga radhët e manifestuesve u dëgjuan thirrjet “Liri – Demokraci”. Pas pak u themelua Partia Demokratike – kundërpesha e parë e Partisë së Punës të Shqipërisë (emri zyrtar i partisë komuniste), e cila deri në atë kohë kishte qenë e gjithëpushtetshme. Në fund të marsit të 1991-ës u zhvilluan zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, në të cilat morën pjesë edhe disa parti të tjera që ishin themeluar gjatë muajve paraardhëse.
Paralelisht me ndryshimet demokratike në Shqipëri u normalizua sërish edhe veprimtaria e ambasadës gjermane në Tiranë: dëmtimet në oborrin e ambasadës dhe në rezidencë, që ishin shkaktuar gjatë okupimit dyjavor, u riparuan, personeli gjerman u kthye në Tiranë, një ambasador i ri – Claus Vollers – filloi misionin e tij në fund të vitit 1991.
Në vitet që pasuan, marrëdhënieve dypalëshe iu shtuan disa fusha, të cilat gjatë diktaturës komuniste do të ishin jashtë çdo përfytyrimi, p.sh. bashkëpunimi ushtarak. Por ky është një kapitull tjetër …