Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Aplikim për vizë me qëllim kërkimin e një vendi pune  (maksimumi deri 6 muaj)

Lutemi të lexoni me kujdes këtë fletë-informacioni dhe formularin e aplikimit  dhe përmbajuni saktësisht udhëzimeve.

Në raste të veçanta, gjatë aplikimit apo procedurës së vizës, mund të kërkohen nga Ambasada  dokumenta të caktuara të papërmendura më sipër.

Aplikimet e plotësuara në mënyrë të  mangët apo dokumentacioni  i paplotë mund të çojnë në refuzimin e aplikimit. Si pasojë do të nevojitet rezervimi i një date të re aplikimi përfshirë periudhat përkatëse të pritjes.

Për aplikimin ju nevojitet dokumentacioni në formën e përshkruar më poshtë:

1.

Formularë aplikimi për vizë

Në gjermanisht ose anglisht, 1 copë, të plotësuara në mënyrë plotësisht të lexueshme, të nënshkruara personalisht.

2.

Tarifa

Tarifat dhe detyrimet duhet të paguhen kesh në monedhën shqiptare LEK. Tarifa  është 75,00 Euro përllogaritur me kursin aktual të këmbimit.

3.

Fotografi pashaporte

2 fotografi identike biometrike për pashaportë, jo më të vjetra se 6 muaj, me sfond të bardhë, madhësia 45x35 mm.

Dokumentat e mëposhtme duhen dorëzuar në origjinal,  me një kopje (Dokumentet e kopjuara nuk duhet të jenë të kapura, apo të ngjitura!)

4.

Pashaporta e udhëtimit

Me të paktën dy faqe bosh. Lutemi mbani në konsideratë që afati i vlefshmërisë së pashaportës duhet të jetë 6 muaj më i gjatë se kohëzgjatja e vizës.

5.

Curriculum Vitae

Curriculum Vitae i formuluar nga vetë aplikuesi, duke paraqitur në mënyrë të veçantë kualifikimin dhe eventualisht veprimtarinë profesionale të deritanishme.

6.Shkresë motivimi

Shkresë motivimi e formuluar nga vetë aplikuesi për kërkimin e vendit të punës të planifikuar. Që këtej duhet të jetë e qartë, se për cilat fusha dhe vende pune interesoheni, ku dëshironi të aplikoni dhe ku do të banoni. Ju lutemi të përmendni edhe njohuritë tuaja të gjuhës gjermane, të sillni dëshminë përkatëse për to dhe – nëse nuk keni njohuri të gjuhës gjermane – të argumentoni përse nuk do të jenë të nevojshme.

7.

Dëshmi kualifikimi

Diplomë e shkollës së lartë gjermane apo e një vendi tjetër e njohur nga Gjermania, apo e krahasueshme me një të tillë.

Nëse diploma juaj e shkollës së lartë është e krahasueshme me një diplomë gjermane dhe nëse shkolla e lartë përkatëse njihet si e tillë në Gjermani, këtë mund ta verifikoni në Bazën e të Dhënave ANABIN: http://anabin.kmk.org/ – duhen paraqitur të dy dokumentat.

Nëse diploma juaj e shkollës së lartë nuk është e regjistruar në këtë Bazë të Dhënash, atëherë duhet të bëni vlerësimin e diplomës suaj nga Zyra Qendrore për Arsimin me Jashtë (ZAB): https://www.kmk.org/zab/zeugnisbewertung.html

Ose formimi profesional i njohur

Informacioni rreth njohjes mund të gjendet këtu: https://www.anerkennung-in-deutschland.de/html/de/fachkraefte.php

Nëse dëshironi të punoni në një profesion të ashtuquajtur të rregulluar (p.sh. në sektorin e kujdesit shëndetësor), duhet të paraqisni dëshminë ose vërtetimin e lëshimit të një licence të ushtrimit të profesionit.

Punonjësit e kualifikuar me formim profesional duhet të paraqesin dëshmi të aftësive të gjuhës gjermane që korrespondon me punën e synuar (zakonisht niveli B1).

Udhëzim: Çertifikatat shqiptare duhet të jenë të pajisura me vulë apostile dhe të përkthyera në gjermanisht

8.

Dëshmi për mundësi të mjaftueshme financimi të gjithë qëndrimit

Dëshmi e mundësive të financimit për gjithë kohëqëndrimin (shuma minimale e kërkuar 1.028,- euro/muaj), ndër të tjera në formën e një deklarate garancie ose përmes derdhjes së shumës përkatëse në një llogari bankare të bllokuar. Për këtë qëllim shihni informacionet përkatëse në faqen e internetit të Ambasadës Gjermane www.tirana.diplo.de

9.

Dëshmi të një siguracioni të mjaftueshëm

Dëshmia për siguracionin shëndetësor duhet të lidhet për të gjithë kohëqëndrimin. Kërkesat për sigurimin shëndetësor mund t'i gjeni këtu.

Në rastin e aplikimit për vizë Ambasada duhet të përfshijë në procedurë zyrën përkatëse  në Gjermani. Në varësi të qëndrimeve të mëparëshme përgjigja mund të zgjasë disi. Ndaj lutemi që të aplikoni për vizë në kohën e duhur, sikundër edhe për për mirëkuptimin Tuaj që brenda 4 javëve të para, prej ditës së aplikimit, nuk mund t’u japim përgjigje pyetjeve lidhur me stadin aktual të procedurës.

Klauzolë e përjashtimit nga përgjegjësia:

Të gjitha informacionet e mësipërme përcillen pa garancinë se janë të sakta apo të plota. Ato bazohen në stadin informativ të Ambasadës në momentin e hartimit të tyre.