Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Fjala përshëndetëse e Ambasadorit Zingraf me rastin e Tirana Connectivity Forum 2020

TCF 2020

TCF 2020, © TCF

01.10.2020 -

Mirëmbrëma! Është e mrekullueshme të kemi një tjetër edicion të Tirana Connectivity Forum. Përgëzoj oranizatorët, Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe median e tyre partnere Euronews Albania, që nuk lejuan pandeminë të ndalte këtë highlight të kalendarit rajonal. Falënderoj gjithashtu partnerët dhe mbështetësit e këtij eventi, në mënyrë të veçantë fondacionet gjermane politike, për kontributin e tyre.

South East European Six – më pëlqen ky term! – shtrihen në atriumin e Bashkimit Evropian. Rëndësia strategjike e rajonit për BE-në është njohur qartësisht përpara dhe gjatë krizës së Corona-Virusit.

Pandemia është duke u shndërruar në një pengesë gjigande për të gjitha vendet, shoqëritë dhe ekonomitë. Gjatë pandemisë është bërë sërish e qartë që BE-ja është dukshëm partneri më i ngushtë, më aktivi dhe më i besueshmi për rajonin. Programet akute të asistencës mjekësore të Unionit, të implementuar brenda një afati të shkurtër (vetëm në shqipëri rreth 50 mil Euro), sikundër edhe Plani Ekonomik dhe i Investimeve në terma afatmesëm dhe afatgjatë janë dëshmi e gjithë kësaj.

Shtetet anëtare të BE-së kanë mbështetur në nivel dypalësh si dhe kanë plotësuar përjekjet e BE-së, vetëm Gjermania ka investuar pothuajse 5 mrd. Euro në SEE 6 që prej rënies së Perdes së Hekurt, prej të cilave një pjesë e konsiderueshme ka qenë e lidhur drejt për së drejti me infrastrukturën dhe konektivitetin. Qeveria Gjermane dhe agjensitë zbatuese GIZ dhe KFW vazhdojnë të jenë të angazhuara dhe të investojnë në rajon duke u nisur nga perspektiva e integrimit të tij në Bashkimin Evropian.

Në dimensionin politik Gjermania vazhdon të jetë e angazhuar në kuadër të Procesit të Berlinit, dhe mezi presim samitin e radhës në Sofje për të mbështetur një Plan të ri Veprimi për Zonën Rajonale Ekonomike (MAP REA).

Në terma të nxitjes së konektivitetit në rajon Procesi i Berlinit ka treguar rezultate të prekshme. Ne jemi krenarë lidhur me faktin që Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe Zyra e Bashkëpunimit të Rinisë në Rajon (RYCO) janë në veprim dhe po kontribuojnë në afrimin e njerëzve në SEE Six.

Në kontekstin e Presidencës Gjermane të BE-së janë duke vijuar përgatitjet intensive të Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Referuar Shqipërisë jam sikundër më parë optimist që ai set kushtesh që duhen përmbushur përpara konferencës së parë, mund të realizohen së shpejti, dhe u bëj thirrje sërish të gjithë aktorëve politikë dhe të gjitha institucioneve të përfshira të angazhohen në funksion të këtij prioriteti kombëtar.

Pres me kënaqësi diskutime të gjalla dhe frutdhënëse, lidhur me situatën aktuale të pandemisë dhe duke vështruar drejt së ardhmes: gjithë të mirat për TCF këtë vit!