Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Fjala e Chargé d‘affaires a.i. Dr. Johannes Dietrich me rastin e Ditës së Kujtesës Kombëtare, Varrezat e Ushtarëve Gjermanë Tiranë, 17.11.2019

17.11.2019 -

„Gjithcka duhet të jetë e gënjeshtërt dhe e parëndësishme, nëse kultura e mijëra viteve nuk ka mundur të ndalë as lumenjtë e gjakut që janë derdhur e as ekzistencën qindra-mijëra hapsanash të tilla vuajtjeje. Vetëm një spital ushtarësh tregon vërtet, se ç‘është lufta“.

Zor se ka një autor tjetër që të jetë futur aq thellë në përshkrimin e luftës dhe mizorive të saj sa Erich Maria Remarque në veprën e tij „Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit ”. Edhe sot fjalët e tij janë për ne një paralajmërim, që kujtimi  i të paimagjinueshmes, të papërshkrueshmes, tmerret dhe vuajtjet e luftës dhe dhunës të mos bien kurrë në harresë.

Shumë e nderuar znj. Gjeneral Shehu,
Shumë të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të dashur anëtarë të komuniteti gjerman në Shqipëri,

sikurse çdo vit, ditën e sotme përkujtojmë në mbarë botën viktimat e luftës, tiranisë dhe terrorit.

Përkujtojmë të gjitha viktimat, që u flijuan në luftë. Përkujtojmë edhe civilët e shumtë, që ranë viktima të dhunës. Shumë njerëz humbën jetën veçanërisht në fund të luftës së dytë botërore në përpjekje për t‘u arratisur, gjatë dëbimesh të dhunshme apo si viktima krimesh brutale.

Kemi ardhur sot së bashku pranë kësaj varreze, ku gjenden eshtrat e pothuaj 60 ushtarëve gjermanë, pjesa më e madhe e të cilëve gjeti vdekjen në fund të luftës së dytë botërore në rajonet e Shqipërisë së Mesme. Të dy luftrat botërore të shekullit të shkuar i kanë kushtuar Ballkanit më shumë se 1 milion viktima. Por edhe pas kësaj ky rajon nuk gjeti qetësi:  si pasojë e diktaturës dhe luftrave civile dhuna shpërtheu serish, e një pjesë e plagëve të saj nuk është shëruar ende edhe sot.

Ditën e  sotme, mbi 100 vjet pas fundit të Luftës së Parë Botërore, dhe më shumë se  70 vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore konfliktet, luftrat, arratisja dhe përndjekjet vazhdojnë të jenë një realitet i trishtë në shumë pjesë të botës, mes tyre edhe në fqinjët tanë lindorë e jugorë.

Kjo na shtyn të përkujtojmë sot të gjitha viktimat e luftës dhe tiranisë, duke e vendosur vdekjen e tyre në një kontekst historik si dhe duke mësuar e përçuar më tej këtë leksion të historisë.

Ashtu sikundër historia nuk e njeh automatizmin, pasi ajo bëhet nga njerëzit, ashtu demokracia dhe paqja nuk janë gjendje shoqërore të tilla që njëherë të arritura, vazhdojnë të ekzistojnë pa qenë nevoja për përkjekje të mëtejshme. Për to e në  mbrojtje të tyre duhet luftuar rishtas e në mënyrë të vazhdueshme.

Paqja dhe mirëqenia mund të sigurohen në terma afatgjatë vetëm nëse komuniteti ndërkombëtar ia del të gjejë si një i tërë zgjidhje të mençura, të qëndrueshme e të drejta për çështjet e kohës sonë. Dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut.

Kjo vlen edhe për të ardhmen e Evropës dhe rolin e saj në botë: Pikërisht tani, kur partnerë deri më sot të besueshëm tërhiqen prej përgjegjësive të tyre, dhe krizat e konfliktet në botë shtohen, ne duhet të angazhojmë të gjitha energjitë  tona në forcimin e mëtejshëm të Evropës si një e tërë. Bashkimi Evropian është projekti i paqes më i madhi e më i suksesshmi që është krijuar ndonjëherë. Andaj edhe integrimi në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është me rëndësi thelbësore për forcimin e mëtejshëm të paqes e bashkëpunimit. Për këtë arsye Gjermania do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha forcat e veta në funksion të integrimit të Shqipërisë dhe mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.