Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Një shikim përmbledhës mbi Ligjin e ri të Imigrimit të Punonjësve të Kualifikuar

En la imagen figuran cuatro empleados con distintas profesiones.

Empleados con distintas profesiones, © colourbox.de

15.11.2023 -

Nga dt. 18 nëntor 2023, në Gjermani hyjnë në fuqi rregullat e reja për të lehtësuar migrimin për arsye punësimi. Zbatimi zhvillohet në disa hapa. Ju mund të gjeni një informacion përmbledhës të të gjitha risive në faqen e internetit Make-it-in-Germany.

Për punonjësit e kualifikuar hyrja në tregun gjerman të punës mendohet të bëhet edhe më e thjeshtë. Që në vitin 2020 ligje të ndryshme u ndryshuan për ta bërë më të lehtë imigrimin e punonjësve të kualifikuar. Me zhvillimin e mëtejshëm të Ligjit për Imigrimin e Punonjësve të Kualifikuar (FEG), nisur nga viti 2023 Gjermania vijon rrugën e saj për t'u bërë një vend modern imigrimi: Për të diplomuarit në universitete dhe punonjësit e kualifikuar me kualifikime profesionale nga jashtë BE-së ka lehtësira të shumta ligjore. Ligji i ri përbëhet nga disa pjesë. Rregullat do të hyjnë në fuqi gradualisht duke nisur nga nëntori 2023. Këtu do të gjeni një përmbledhje fillestare të risive të planifikuara:

Çfarë do të ndryshojë prej nëntorit 2023? 

Kufiri i pagës ulet

Kufijtë e pagave për Kartën Blu të BE-së – që është rruga e hyrjes për personat me kualifikim të lartë nga vendet jashtë BE-së – do të ulen. Për vitin 2023 mjafton që në vit të fitosh 39.682,80 euro si fillestar apo në profesionet në mungesë. Në profesionet e tjera duhet të dëshmosh të ardhura vjetore prej 43.800 eurosh që të mund të marrësh Kartën Blu BE-së. Ajo u mundëson akademikëve jashtë BE-së, që kanë gjetur punë në Gjermani, të jetojnë këtu me familjet e tyre.

Akses i lehtë për specialistët e IT-së pa diplomë të arsimit të lartë

Specialistët e IT-së pa një diplomë të arsimit të lartë mund të marrin Kartën Blu të BE-së, nëse kanë të paktën tre vjet përvojë profesionale. Për ta vlen pragu më i ulët i pagës sikundër është përmendur më sipër.

Më shumë profesione në mungesë

Përveç matematikës, shkencave kompjuterike, shkencave natyrore, inxhinierisë dhe mjekësisë humane, Kartën Blu të BE-së me kufirin më të ulët të pagës do të mund ta marrin në të ardhmen edhe punonjësit e kualifikuar në grup-profesionet e mëposhtme:

  • Pozicion drejtues në prodhimin e mallrave, ndërtim dhe logjistikë
  • Pozicion drejtues në sektorët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit
  • Pozicion drejtues në kujdesin për fëmijët ose kujdesin shëndetësor
  • Veterinerë
  • Stomatologë
  • Farmacistë
  • Ekspertë akademikë të infermierisë dhe obstetrikës
  • Staf mësimdhënës dhe edukativ në shkolla dhe jashtë tyre

Hyrje pa viza me një Kartë Blu të BE-së nga një vend tjetër i BE-së

Kushdo që ka një Kartë Blu të BE-së nga një shtet tjetër anëtar i BE-së, mund të qëndrojë për qëllime pune në Gjermani deri në 90 ditë pa vizë. Për këtë qëllim nuk kërkohet leje pune. Kushdo që ka jetuar në një vend tjetër të BE-së për dymbëdhjetë muaj me Kartën Blu të BE-së, mund të zhvendoset në Gjermani pa vizë. Pas hyrjes në vend, ai/ajo duhet të aplikojë pranë Zyrës së të Huajve për Kartën Blu gjermane të BE-së.

Lehtësira për bashkimin familjar

Nëse të afërmit e një punonjësi të kualifikuar me një Kartë Blu të BE-së jetojnë në një shtet tjetër anëtar të BE-së, ata mund të hyjnë më lehtë në Gjermani: familja nuk ka nevojë për vizë, por mund të jetojë këtu me një leje qëndrimi nga vendi tjetër i BE-së. Nuk është më e nevojshme të vërtetohet, që sipërfaqja e banimit është mjaftueshmërisht e madhe dhe se financat për të siguruar jetesën e dikujt janë të garantuara. Kushdo që do të marrë lejen e qëndrimit nga data 1 mars 2024 do të mund të tërheqë më lehtësisht edhe prindërit e vet dhe prindërit e bashkëshortit/tes.

Punësimi i shoferëve profesionistë

Lëshimi i miratimit nga Zyra Federale e Punës me qëllim punësimin e shoferëve profesionistë nga vendet e treta do të jetë më i thjeshtë. Në parim, nuk do të kontrollohet më nëse disponohen leja e drejtimit të automjeteve e kërkuar prej BE-së ose KEE-së apo kualifikimi bazë përkatësisht kualifikimi bazë i përshpejtuar. Përveç kësaj, testi paraprak do të anulohet dhe njohuritë gjuhësore nuk do të jenë më kusht.

Informacione të mëtejshme mund të gjenden në faqen e internetit Make-it-in-Germany